
Banorët në dhomën e gjumit janë duke diskutuar për marrëdhënien midis njëri-tjetrit në shtëpi, duke u nisur nga disa debate që janë bërë midis tyre. Ata flasin për Ilirin, duke nisur nga temperamenti dhe fjalori i tij si edhe debatet e përsëritura me Joanën. “Mos kujtoni se Iliri është budalla”, shprehet Shpendi, duke bërë që në diskutim të marrin pjesë të gjithë banorët. Jonilda e gjykon Ilirin për fjalorin që përdor dhe për mënyrën se si sillet pothuajse me të gjithë banorët. Shpendi dhe Xhimi janë të mendimit se femrat duhet të jenë më të kujdesshme për të mos e çuar në ekstrem një debat, pasi meshkujt janë më gjaknxehtë dhe mund të thonë fjalën e fundit të parën, pa e logjikuar shumë, gjë që mund t’i rëndojë shumë femrat. “Ne mund t’i marrim për shaka fjalët e tij, por njerëzit jashtë nuk dihet se si i interpretojnë fjalët e tij”, shprehet Jonilda. Ndërsa Shpendi thotë se kjo është arsyeja se përse ata janë në Big Brother, pasi vetë publiku do t’i gjykojë më mirë se kushdo sjelljet e tyre brenda shtëpisë.
Ndërkohë që Anaidi e Joana vazhdojnë të bisedojnë, të shtrirë në krevat, aty shkon Iliri e të tre flasin për gjëra të përgjithshme në shtëpi. Më largimin Ilirit nga dhoma, Joana shprehet: “Sa i ndyrë që është ky Iliri”. Të dy diskutojnë për të dhe për faktin që Iliri nuk debaton për asnjë temë të hapur midis njëri-tjetrit. Anaidi thotë se Iliri i anashkalon debatet dhe se nuk kërkon asnjëherë të përfshihet e të bëhet protagonist në to.